Njëri nga  njerëzit më të njohur  të kohës së tij  dhe gjithsesi njeri prej atyre që lanë gjurmë të pashlyera në muret e  lashta të Kalasë së Ulqinit, pa dyshim është  Sabataj Cevi. Njeriu i cili  shenoi një pjesë të trashëgimisë kulturore të botës, poashtu me daljen e tij  dhe mësimin e tij i  dha kontribut të madh  historisë , jo vetëm tek ne, por lirisht mund të thuhet edhe në botë. Ky njeri me një intelegjencë mbi mesatare dhe arsimim të gjerë duke e vetëquajtur veten një  “Mesia i ri,” ka lënë gjurmë të thellë që edhe sot e kësaj dite zgjon interesim,  jo vetëm tek  shkenëctarët  dhe teologët, por edhe tek njerëzit  e thjeshtë, të cilët tentojnë të hulumtojnë të gjitha segmentet e veprimtarisë së tij në perandorinë  otomane. Normalisht ndikimi i tij u përhap shumë shpejtë edhe jashtë kufijve  të perandorisë osmane dhe emri i tij përmendet me respekt  dhe nderim  në të gjitha sinagogat e atëherëshme të botës së zhvilluar. Sot ne që jetojmë këtu pranë Kullës së Ballshajve, ku ai kaloi  dhjetë vitet e fundit të jetës së tij, shpesh u flitet shumë mysafirëve qoftë atyre të jashtëm apo të brendshëm, duke provuar t’i japim, jo vetëm këtu tek ne, një  dimenzion të vërtetë ekzistencës së tij.

Ka lindur në Izmir me 1626, në një prej qytetet më të rëndësishme  të Perandorisë Otomane. Në këtë qytet ka jetuar  një komunitet i madh hebrenjsh, dhe në një familje të njohur  u lind njeriu, që në moshën katërdhjetvjeçare  guxoi, që në një shtet aq të fuqishëm islamik ta shpallë veten “Mesia i  ri” . Sabataj Cevi edhe si i ri ishte i mirëpritur  dhe i nderuar, me dëshirë e ndigjonin si shkencëtarë  poashtu edhe  njerëzit e thjeshtë dhe të gjithë  pajtoheshin,  se ai ishte i lindur për udhëheqes. Ai  për arsimimin e vet lexoi të gjitha librat e vjetra të shenjta të hebrenjve,  ku në secilën  cekej ardhja e “Mesias “ së ri.Me ketë titull janë quajtur edhe shumë para tij, si Bar Koba,  Juda Galile, Juda Makabe, ndërsa i vetmi  që me të drejtë e ka bartë  ka qenë Jezu Krishti. Në popullatën e shumët Jevreje në Izmir Sabataj Cev kërkoi lirinë, ishte teolog i lirisë dhe kuptoi se kjo ishte  diçka më e madhe,  që njeriu mund të ketë në besimin e tij.

Përse bash viti 1666

Në shumë libra të shenjta të hebrenjve të shekullit të mesëm thuhet, e që vertetojnë edhe astrologët e vjetër, se ,“Mesia” i  ri do të paraqitet vërtetë më 1666. Në të vërtetë sipas astrologjisë hebreje numri 1666 është numër i kafshëve të egra apokalipse ,666  plus edhe  1000 vjet  sundim  të Satanës. Dhe ashtu, në bazë të apokalipsit (zbulimit ) të Jovanit , është logaritur që dita e kthesës dhe qerimit të hesapeve do jetë pikërisht  viti 1666,  atëherë do të fillojnë 1000 vjet  mbretërimi të Jezu Krishtit në tokë e të vdekurit do të çohen nga varret e tyre dhe së bashku me të gjallët  do dalin para gjyqit. Pas asaj  do vendoset paqa, drejtësia, dhe mirëqenia, madhëria e zotit dhe parajsës  në tokë. Nuk ishte ajo  vetëm  një sugjestion i kotë, njerëzit çdoherë kanë provuar të dijnë të ardhmen, së paku atë  që ju ka interesuar. Çdo gjë që ka ndodhur në kohën e Sabataj Cevit  kishte lidhje fetare dhe  shpjegimi  bëhej me koncepte fetare. Shpëtimi dhe shpëtimtari, do të thotë  Mesia i ri, hebrenjve  u ishte i domosdoshëm sepse me shekuj  kanë perjetuar nënçmime dhe tortura çdokund në botë, çdo brez jetonte me bindje, se ata  vuanin më shumë se të parët dhe ajo me gjenerata përsëritej, në Stomboll dhe në qytetet tjera të mëdha  të perandorisë turke, në atë kohë ka qenë egzodusi i hebrenjve të cilët vinin prej tokave të lindjes .

Si pasojë  kanë rrjedhur  protestat masive, sidomos në Izmir. Me 1666 kemi edhe një  zenije të Hënës, e cila ka qenë saktësisht e paraparë gati dy shekuj para parashikimit të astrologëve hebre, persian dhe arab. Shumica atëherë atë e komentonin si shkatërrim të Perandorisë Turke. Ideja për shpëtimtarin ishte e dy anshme. Hebrenjtë  shpëtimtarin e quanin ,,Mesia ,, ndërsa myslimanet ,,Mehdi”. Edhe më herët të rinjtë tentonin që nga minarja e xhamisë se Pajazitit , të shpallnin veten si Mehdi, flisnin se në trupin e tyre ishte shpirti i Mehdiut, por ajo tentativë u shua me gjak nga ana e Jeniçerëve  dhe Portës. Veziri i madh  Kipril,me prejardhje shqiptare në të vërtetë në atë kohë edhe ka sunduar me perandorinë Otomane nga se Sulltan  Mehmeti i 4, pas vrasjes se të atit kishte vetëm 9 vjet. Pas ardhjes se tij prej Edrene në Stamboll, në oborret e veta fton edhe shkencëtarin e quajtur Abdiu,i cili shkroi edhe historinë e asaj kohe nga e cili edhe dimë shumë për Sabataj Cevin. Sigurisht edhe vet Sulltani ka shkruar disa shënime, që janë tregim më i besueshëm dhe historia e këtij  personaliteti i cili dhjetë vitet e fundit i kaloi si rojtarë i qytetit të vjeter të Ulqinit në katin e tretë të Kullës  madhështore të Ballshajve.

Dënimi  dhe  mallkimi i Sabataj Cevit

I shpallur si “Mesia”  Cevi  u jepte shpresë masave, shpresë për çlirim nga robëria , shpresë për liri fetare. Librat e shenjta fetare ju premtonin këtë, sigurisht  tani me “Mesian” e ri! Ndihmë të madhe Cevi  ka patur edhe në Natanu  Gazatiju nga Gaza, që vërtetonte  mesianitetin e tij, e pas kësaj në të gjitha sinagogat, si ajo e Italisë, Anglisë  dhe Gjermanisë, rrëfenin për Sabataj Cevin si Mesia i ri. Prej  Izmirit lëvizja filloi shumë shpejt të përhapet, shpejt përfshiu edhe  Stambollin. Duke parë rrezikun, Kiprili vendosi ta ndaloj këtë eufori, sidomos pas letrës se Sbataj Cevit me të cilën i ishte drejtuar Sulltan Mehmetit  të 4-të, ku kërkonte që të heq dorë nga Kurani i Muhametit dhe t’i kthehej Tallmudit , fesë hebreje dhe atij si “Mesia” i ri. Atëherë Kiprili urdhëroj që Sabataj Cevi të burgoset, dhe të mallkohet. Mirëpo kjo nuk i shqetësoi shumë mbështetësit e Sabataj Cevit, meqë sipas të dhënave besonin që ai do të dalë nga burgu, i hipur mbi luan dhe së bashku do të nisen për në Izrael dhe Palestinë, ku do të rivendosin shtetin e vet, të rrënuar qysh  në shekullin e vjetër nga romakët, dhe me atë  të tregoi mesjanizmin e vet. Në të vërtetë Cevi kishte pak mundësi që të shpëtoj nga burgu, pavarësisht se mbështetësit e tij besonin në profetizmin e tij dhe fuqinë e zotit.
Si Mesia u bë mysliman

Disa rreshta të “Kronikës  Botërore”, të kronistit  Abdije, na tregojnë se si Sabataj Cevi, pranoi fenë myslimane. Me urdhëresë, të Sulltanit Sabataj Cevin e zhveshin,ai me duar mbulon ekstremitetet , Sulltani qesh. Duke pa se është i prerë  sipas zakoneve hebreje, Sulltani pyet myftiun se si  mendon ai për proklamimin e Mesias.  Myftiu, i cili urrente Sijetet dhe Mistikët, i cili  veç e kishte dënuar një filozof me emrin Karabasa, si dhe shumë shkrimtarë i kish shpallur Sabatajë të zi prej vet djallit. Sulltani vendosi që Sabatajin ta vë në provë duke i thenë se do të pranoj mesianizmin e tij nëse atë e pushkatojnë, për të evituar vdekjen e sigurt Sabataj Cevi i bie në gjunjë Sulltanit duke e lutur që ta falë, meqë ai është vetëm një rabin dhe se lutet në emër të djalit i cili atë natë do të vijë në jetë.Vërtetë, pas disa orësh njëra prej grave të haremit lindi dhe atëherë Sulltani tregoi mëshirë dhe i fali jetën Sabataj Cevit. Sulltani pastaj i tha Cevit që të ndërrojë fenë, sepse, pasi  që ai, më parë pati guxim që nga një perandor botëror të kërkojë të ndërrojë fe,  atë tash e kërkon ai prej tij. Dhe ashtu Sabataj Cevi merr emrin e ri Mehmet Efendi dhe vetvetes i vë çallmën dhe largohet në mërgim, në Ulqinin e largët.

Jeta dhe vdekja e Sabataj Cevit në Ulqin

Sulltani i fali jetën të vetëdeklaruarit Mesia, por mbështetësit e tij gjithnjë mblidheshin duke mos besuar që ai ishte Mesia. Për të ndaluar grumbullimin e mëtutjeshëm  dhe trazirat, veziri këshillon sulltanin që Cevin ta internojnë në qytetin më të largët të perandorisë turke- në Ulqin, në kështjellën e tij. Pavarësisht prej asaj Sulltani Cevit i jep titullin rojtar i kështjellës ( Dizdar) dhe me përcjelljen e tij, ai vie në qytetin antik në Ulqin ku 10 vitet e fundit të jetës së tij do t’i kalojë në katin e tretë të Kullës së Ballshajve. Aty ku ka vdekur princi i njohur i familjes Ballshaj Gjergj Ballsha që edhe sot e njëjta mbanë emrin e tij Kulla e Ballshajve. Në atë Kullë që edhe sot gjendet në pjesën më të lartë të kështjellës, Sabataj Cevi gjeti qetësinë e vet, reformoi Talmudin dhe lexoi literaturë tjetër fetare të cilën e posedonte. Ka folë gjashtë gjuhë dhe ishte njeri me inteligjencë mbimesatare dhe arsim të lartë. Thonë që vetëm dy herë ka dalë nga kështjella, një herë ka shkuar në vizitë në manastirin e benediktin në  Ratac në afërsi të Tivarit, dhe herën e dytë deri në qytetin e vjetër të Shasit. Ka shkruar disa shënime nga Ulqini  doemos duhet përmendë atë që i dërgoi njërës prej tri grave që kishte, Sari Elahun të cilën e kishte lënë në Izmir. Në disa fragmente tjera përmend shqiptarët e Ulqinit, flet për tërmetet  katastrofale që kanë goditur këtë qytet po ashtu flet për tridhjetë vajzat të cilat janë hedhur nga muret e kalasë për të mos rënë në robëri.

Po ashtu shkruan edhe për një lloj bari i cili rritet në muret e kështjellës. Ishte shumë orator  ndaj edhe  shkruante pak.

Ylli i Davidit në Kullën e Ballshajve.

Sot në katin e tret të Kullës së Ballshajve në mermer të bardhë gjendet i gdhendur Ylli i Davidit i cili vërteton tezën se ai ka mbetur thellë në shpirtin e hebrejve. Në atë vend dukshëm shihet edhe vendi ku gjendej biblioteka e tij me shkresa dhe libra të Helevisë, Jozef Efrraimit, Isak ben Sollomisë, Ezra Majmunites etj. Po ashtu  ishte edhe botimi i parë i doktrinës së Kabalistit “Zohar” nga viti 1559, prej Gjon Bolice dhe Gjergj Bizantinit, si dhe Pir Didakut prej Raguze. Në vitin 1676, në vitet e pesëdhjeta të tij, Sabataj Cevi vdes. Vdekja e tij pati jehonë të madhe në botë, sidomos tek hebrenjtë, e në mesin e të cilëve ishin shumë ato të cilët edhe më tutje e konsideronin të shenjtë. Vdekja e tij sipas të dhënave ka qenë shumë misterioze. Sipas një legjende thonë se ka vdekur në momentin kur ka parë një fëmijë duke ra nga një dru fiku, kur pa se fëmija nuk lëvizte. Legjenda thotë se fëmia pas asaj u ngrit pa asnjë lëndim. Sipas të tjerëve thuhet se ka qenë i përgatitur për vdekje duke lutur Julije Ambrozianin, njëri i cili ka qenë mjeshtër për preparirimin e njerëzve dhe të shtazëve që atë ta bëj edhe me trupin e tij. Ka mundësi që ajo ka ndodhë, mirëpo është varrosur në afërsi të një xhamie jashtë mureve të kështjellës në një tyrbe të veçantë, megjithëse thonë që dëshira e tij ishte që të varrosej në ndonjë vend në lartësi nga i cili mund të shihnin detin vizitorët e varrit të tij. Është e mundur që nuk e kanë dëgjuar.

Tyrbja misterioze

Tyrbja në të cilën gjendet varri i tij edhe sot ruhet si fantazmë dhe gjendet në një pronë private. Rojtarët e asaj tyrbe në mënyrë misterioze ruajnë emrin e tij dhe kurrë nuk do të pranojnë që bëhet fjalë për të. Por si do që të jetë duhet të respektohet tradita e asaj familje, po na mbetet ne që edhe më tutje të hulumtojmë jetën e tij misterioze, sidomos pjesën në mes mureve te kështjellës së Ulqinit. Në varrin e tij nuk ka kurrfarë mbishkrimi,aty është vetëm një sarkofagë, dhe kjo familje me respekt dhe nderim të madh sillet ndaj tij duke vërtetuar se bëhet fjalë për një paraardhës të largët të tyre. Si do që të jetë Sabataj Cevi ka qenë figurë e madhe e kohës së vet, njeriu i cili vetveten pat sukses ta shpall “mesia” i ri dhe çka është më e rëndësishme se masa të mëdha besonin në te. Pa marr parasysh që mori fenë myslimane ai edhe me tutje mbetet i rrezikshëm për Perandorinë Osmane gjithnjë deri në vdekjen e tij. Për atë është internuar në Ulqin. Jemi të bindur se, edhe sot një numër i madh i turistëve nga e gjithë bota do të vinin në haxhëlluk në varrin e tij, normalisht sikur të dihej 100% e sigurt që vërtetë bëhet fjalë për varrin e tij dhe për faktin se kur gjendesh pranë varrit të tij ke një ndjesi të papërshkrueshme. Ai është një metaforë e çuditshme historike dhe një motiv për të cilin mund të shkruhen shumë vepra, ai është njëkohësisht mister dhe histori,  më të vërtetë ngjarje e papërshkrueshme dhe mallëngjyese. Ne na mbetet që të punojmë në ndriçimin e jetës së tij misterioze dhe veprës së tij dhe mysafirëve të huaj dhe të vendit të iu flasim për këtë figurë të famshme që shënoi një epokë të tërë. Ai në veçanti është interesant për ne sepse emri tij është i lidhur dhe me qytetin tonë dhe ai pa asnjë dyshim është një pjesë e madhe e kulturës sonë të lavdishme dhe impozante.