Objekt i mrekullueshëm, i vetmi i këtij lloji në Mal të Zi, gjendet te xhamia e Pashës. I ndërtuar rreth vitit 1743, thjeshtë në formë xhamie, me kupolë qendrore, e rrethuar me disa kupola më të vogla. Në hamam ka patur disa hapësira të vogla ku vizitorët përgatiteshin për banjë dhe më pas aty pushonin.
Hapësira më e madhe ka qenë i ashtuquajturi “mejdan”, i mbuluar me kupolë, prej ku kalohej në hapësirat e tjera më të vogla, po ashtu edhe ata me kupola. Në dhoma për larje ekzistonin kadat nëpër të cilat rridhte uji i ftohtë dhe i nxehtë që dilte nga muri. Drita nëpër këto hapësira depërtonte përmes vrimave të kupolave, kështu që ata që kanë vizituar këtë objekt thonë se është një mrekulli.
Pas larjes, njerëzit pushonin dhe pinin kafe. Në afërsi gjendej një rrap i mrekullueshëm nën hijen e të cilit ulqinakët pushonin, llafosnin dhe pinin duhan me çibukët e tyre të gjatë. Për shfrytëzimin e hamamit , ishin të caktuara ditët dhe orët, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Në ditët kur hamamin e shfrytëzonin vetëm femrat, ata mbi derën e hyrjes varnin teshat në shenjë vërejtjeje për meshkujt, që mos të afroheshin.
Meshkujt , në hamam shkonin në orët e mëngjesit, e pas larjes shkonin në punë. Gratë zakonisht shkonin pasi që kryenin punët e shtëpisë. Në hamam, meshkujt shkojnë vetëm, ndërsa femrat me shoqe, në grupe. Shpresojmë, që së shpejti do rivihet në funksion ky objekt i rrallë, dëshirë kjo jo vetëm për vendas, por me siguri edhe për mysafirët të cilët vizitojnë Ulqinin.