Në Ulqin gjithmonë është ruajtur kulti i ujit. Besohet se në muret e Kalasë është i gdhendur portreti i Bindit, zoti Ilir i ujit dhe i detit.Një numër i madh i krojeve në teritorin e këtij qyteti janë ndërtuar për interes të përgjithshëm, por edhe për shpirtat e të vdekurve ose të vrarëve. Thënia popullore thotë që më mirë është të rregullosh një krua se sa një objekt fetar. Ndaj në qytet dikur ka patur mbi 30 kroje. Sot as gjysma e tyre nuk është më! Krojet janë ndërtuar si vepra në shenjë bamirësie (vakëf) të disa individëve. E ndërtuar me mur dhe dybek uji prej guri, krojet e Ulqinit me bukurinë dhe ambientin e vet ku janë ndërtuar janë përshtatur mirë me ambientin.
Në mbishkrime është i gdhendur emri i mirëbërësit-ndërtuesit të kroit me dëshirë dhe porosi që ai i cili ka fatin të pijë ujë nga ky krua, të lutet dhe t’i dëshirojë bamirësit një vend në parajsë. Kroi në Kala është ndërtua me 1749-50. Uji është sjellë me tubacione nga vendi i quajtur Çinari( rrap, lis) 600m në veriperëndim të Kalasë. Në atë pjesë ka patur shumë bote uji ku mblidhej uji i shiut, si rezervë për banorët në rast rrethimi të kalasë.