Themelimi i Ulqinit lidhet me formimin e shtetit me fiset ilire të Ardianëve në shekullin V para erës së re. Shumë objekte të kulturës materiale, që janë gjetur këtu, gjatë hulumtimeve të bëra, dëshmojnë se, Ulqini është themeluar para 2.500 vitesh , për këtë flet muri dhe bedeni në veri të Kalasë. Bedeni është ndërtuar sipas teknikës së njohur greke të ngritjes së murit me gur-kuadrate të mëdhenj, vrazhdë të gdhendur, të renditur në mënyrë të rregullt dhe të lidhur thatë (pa baltë -beton).
Këtu gjithsesi bëjnë pjesë edhe fragmentet e vazave me figura të zeza dhe lekitave të bardha (lloj enësh greke prej qeramike për mbajtjen e vajit me të cilin lyhej trupi para se lahej), me ngjyrë të kuqe. Është gjetur afër bedenit iliro-grek, poashtu e shekullit V, gema antike (relef i gdhendur në gur, ku në minijaturë paraqet figura njerëzish, portrete apo skena).
Mirëpo, më i rëndësishëm, pa dyshim, gjerë më tani është zbulimi i një mbishkrimi grek në bazamentin antik për altarë po prej guri të verdhë, me të cilin janë ndërtuar bedenet e Ulcinium-it, dhe mund të pëfundohet se ndërtues ishin grekët, por në llogari të ilirëve. Kulti i Artemidës-mbretëreshës së gjuetisë së pari është ruajtur në Arkadije, e më vonë, bashk me kultin e vëllait të saj Apollonit, në ishullin Delu dhe në Delfima.
Në burimet e shkruara kemi shumë pak të dhëna historike për Ulcinium-in antik, e përmendin historianët e njohur romak Tit Livi dhe Plinije.Tit Livi, duke folur për luftën e fundit të ilirëve kundër Romës (168.p.e.r)përmend banorët e tij. Ndërsa Plinije (14-79)në librin e tij “Natyralis Historiae” , Ulqinin e përshkruan si qytet i fortifikuar i qytetarëve romak, (oppidumciviumRomanorum) duke thënë se më parë është quajtur Colchinium me pretekst se e kanë themeluar Kolhigjenët, nga edhe mendohet se ka qenë koloni e Kolhigjenisë, poashtu, ishte i njohur edhe në legjendat e Argonautëve.
Mendimtarët gruzian pranojnë etimologjin e emrit Olchinium ndaj Colcinium, prej Colchis(Grek), mandej Qilna-Qulha . Ilirologu i njohur gjerman A. Majer mendon se emri Ulcinium është nxjerrë nga rrënja indoeuropiane e fjalës ulkas-ujku, emër i kafshës totemike të qytetit. Poashtu edhe gjuhëtari kroat Petar Skok,emrin Ulqin e lidh (Ulcinium, L’ cinj, Ulcinj, Ulqin) me fjalën shqipe ujk(në ilirishte ulk).Marrë parasysh pozitën, e cila i mundëson kontrollin e një hapësire të madhe të detit, Olciniumi për shtetin ilir kishte një rol të rëndësishëm, pastaj, këtu kalonin edhe rrugë me një rëndësi të madhe.
Kundër shtetit Ilir, romakët shpallin luftë tri here radhazi vetëm e vetëm për të marrë kontrollin e hapësirës detare. Në luftën e fundit iliro-romake u zu udhëheqësi i madh dhe i fundit ilir Genci (168), ndërsa qytetet dhe fiset që ishin nën sundimin e tij humben pavarësinë.Tit Livi thekson se banorët e Ulqinit-Olciniates, së bashku me Isejet, Taulantët, Pirustët dhe Rizontët iu dorzuan romakëve pa luftë, për çka fituan imunitetin dhe u liruan nga dëmshpërblimet e luftës. Për jetën e Ulqinit të asaj kohe dëshmojnë zbulimet arkeologjike, pranë shumë fragmenteve prej qeramike dhe të tjera të kulturës materiale, u zbulua edhe një beden iliro-grek i ndërtuar me kuadrate të mëdha prej guri.Gjatë sundimit romak, Ulqini fitoi statusin e Qytetit (oppidum civium Romanorum),që do të thotë se ka patur edhe popullat – shtetas Italian të cilët i gëzonin të gjitha të drejtat qytetare romake, ndërsa ilirët i fitojnë më vonë, meqenëse një pjesë ishte e romanizuar.
Kur bëhet fjalë për jetën shpirtërore të mesjetës në Ulqin, atëherë vjen në shprehje elementi autokton. Aty veçanërisht është e përfaqësuar perëndia ilire e ujit dhe detit (Bindus), pastaj kulti i gjarpërit , gjallesë e shenjtë e ilirëve, dhe kalorësi ilir zoti –Medaur, si dhe mite të tjera ilire.