Valdanosi  është vend i energjisë së pastër pozitive ,burim i pakapërcyeshëm për aktivitete,vend i shenjtë ku marrim ajër të pastër, dëgjojmë erën, gëzojmë bukuritë natyrore, shetisim, notojmë zhytemi, grahim biçikletën ose me anije vizitojmë Ulqinin e vjetër, gjiret tjera aty në afërsi, peshkojmë, mësojmë se sa bukur është të jesh mik me natyrën, ky është gjiri i paqes, bukurisë dhe i dashurisë, me një plazhë të gjatë 376 metra, e cila është shpallë monument i natyrës.

Ullishta në Valdanos është monumenti më i madh i ullishtarisë në Mal të ZI, me një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike dhe ekologjike. Ka rreth 18 mijë rrënjë ullinj, me vjetërsi mesatare prej rreth 800 vjetësh, kurse me ligjin për ullishtat në Malit të Zi është nën mbrojtjen e veçantë të shtetit. Shumë rrejë janë më të vjetra se dymijë vjet.

Në gjirin e Valdanosit është lehtë  të shkohet. Prej Ulqinit deri aty shkon rruga magjistrale. Pritet që se shpejti të fillojë rekonstruimi i kalldrëmit, i cili kalon nëpër “zemër” të gjirit dhe të Ullishtës. Në atë mënyrë do t’ ju lehtësohet lëvizja, në  atë hapësirë të bukur mysafirëve.

Mrekulli e veçantë është të vizitosh  gjysmë ishullin  e Mendresë  si dhe 11 burimet natyrale të ujit në ullishtë. Është kënaqësi e veçantë të shohësh  fanarin e detit,  të soditësh detin e hapur dhe tërë hapësirën  e malit të Mavrianit. Kur koha është e mirë dhe e kthjellët, nga maja e tij, pamja në det shtrihet prej dyerëve të Otrantit deri te Pallagruzha!

Në Valdanos kemi livadhe endemike të lules së detit “Posedonia Ocenica”. Kjo bimë  është e njohur si bari i detit, është një lloj bime endemike  mesdhetare, që do të thotë se rritet vetëm në  Mesdhe e askund tjetër! Livadhet e kësaj hapësire për nga llojshmëria biologjike janë më të pasurat në Mesdhe.