Organizata Turistike e Ulqinit po prezantohet në një nga panairet më të mëdha dhe më të rëndësishme turistike në Evropë – CMT Stuttgart, i cili mbahet në periudhën nga 17 deri më 25 janar 2026.
Kjo ngjarje prestigjioze çdo vit mbledh rreth 265.000 vizitorë, më shumë se 2.100 ekspozues dhe përfaqësues të industrisë turistike nga mbi 100 vende të botës, duke e bërë atë një nga panairet kyçe për promovimin e destinacioneve në tregun gjerman dhe atë të Evropës Perëndimore.
Ulqini prezantohet para vizitorëve të panairit si një destinacion tërheqës për pushime gjatë gjithë vitit, duke ofruar një kombinim unik të detit, natyrës së paprekur, historisë dhe kulturës së pasur, si dhe mikpritjes së veçantë të jugut të Malit të Zi.
Përveç Organizatës Turistike të Ulqinit, në promovimin e destinacionit marrin pjesë edhe përfaqësues të industrisë turistike lokale, ndër të cilët janë: Ulcinjska rivijera – Ada Bojana, hoteli Palata Venezia, Kamp Safari, hoteli UMMA, hoteli Continental, hoteli Teuta, si dhe apartamentet Eneida, të cilët së bashku prezantojnë një ofertë të larmishme dhe cilësore të akomodimit dhe shërbimeve turistike.
Pjesëmarrja në panairin CMT përfaqëson një mundësi jashtëzakonisht të rëndësishme për pozicionimin e mëtejshëm të Ulqinit si një destinacion autentik mesdhetar, i njohur për Plazhin e Madh – plazhin më të gjatë me rërë në Adriatik, Adën e Bunës, Qytetin e Vjetër, plazhet e shumta, bukuritë natyrore dhe ambientin specifik të jugut të Malit të Zi.
Gjatë ditëve të para të panairit është shënuar një interesim i madh nga vizitorët, veçanërisht për kampingun, akomodimin hotelier dhe atë privat, çka konfirmon rritjen e interesit të tregut për Ulqinin dhe ofertën e tij të larmishme turistike. Veçanërisht vlen të theksohet fakti se Ulcinjska rivijera – Ada Bojana gjatë panairit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me dy kompani të njohura ndërkombëtare turistike, gjë që përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të qarkullimit turistik.
Me pjesëmarrjen në panairin CMT Stuttgart, Organizata Turistike e Ulqinit vazhdon promovimin intensiv të destinacionit në tregun gjerman dhe atë të Evropës Perëndimore, me qëllim rritjen e njohjes së Ulqinit dhe tërheqjen e një numri më të madh vizitorësh gjatë gjithë vitit.
