Në një nga panairet më të rëndësishme ndërkombëtare të turizmit në Evropë, “Ferien–Messe Wien”, i cili u mbajt në periudhën nga 15 deri më 18 janar 2026, Mali i Zi tërhoqi vëmendje të madhe të vizitorëve me ofertën e tij të pasur dhe stendën kombëtare atraktive.
Në kuadër të prezantimit të Malit të Zi, Ulqini paraqiti një ofertë turistike të unifikuar dhe të larmishme, e cila ngjalli interesim të jashtëzakonshëm te vizitorët dhe profesionistët e turizmit. Krahas Organizatës Turistike të Ulqinit, në panair u prezantuan edhe shumë përfaqësues të sektorit turistik dhe hotelierë të qytetit tonë, duke bërë që Ulqini të paraqitej në mënyrë të bashkuar, të fuqishme dhe të dallueshme, duke u promovuar si një destinacion që ofron një ndërthurje të bukurive natyrore, trashëgimisë së pasur kulturore, gastronomisë autentike dhe akomodimit cilësor.
Theks i veçantë iu kushtua Plazhit të Madh, Adës së Bunës, Qytetit të Vjetër, turizmit aktiv dhe të qëndrueshëm, si dhe ofertës së parasezonës dhe passezonës, çka kontribuoi më tej në rritjen e interesimit të tregut austriak.
Përveç Ulqinit, në panair morën pjesë edhe Organizata Kombëtare e Turizmit të Malit të Zi, organizatat turistike lokale të Tivarit, Kotorrit, Budvës, Podgoricës dhe Zhablakut, si dhe Qendra Turistike Vučje dhe Klinci Village Resort.
Panairi mblodhi mijëra vizitorë, ndërsa stendën e Malit të Zi e vizitoi edhe ambasadorja e Malit të Zi në Austri, zonja Stanica Anđić, duke konfirmuar kështu edhe më tej rëndësinë e këtij prezantimi për promovimin e Malit të Zi dhe Ulqinit si destinacione turistike atraktive në një nga tregjet më të rëndësishme emetuese.
