Lumi Buna(ser.bojana. lat.Barbana)buron nga liqeni i Shkodrës. Është i gjatë 44 kilometra, ndërsa me sasi të ujit që sjell në det, i treti në Mesdhe (pas Nilit dhe lumit Po në Itali).
Ai është rezervat natyror i botës bimore dhe asaj shtazore. Ekspertët e brendshëm dhe ato të jashtëm, në deltën e këtij lumi kanë regjistruar 143 lloje dhe nënlloje peshqesh.
Lumi Buna është vërtetë çudi e natyrore, sepse fundi i shtratit të lumit është, para se derdhet në det, dy metra nën nivelin e detit, e diku diku edhe pesë metra nën nivelin e detit. Por gjithsesi e veçanta e këtij lumi është ajo se fundi i shtratit të tij, duke filluar nga gryka e derdhjes, e tërë gjatësia e tij prej 36km, është nën nivelin e detit.
Kjo bën që ky lum të jetë fenomen natyror sidomos kur kemi parasysh rrjedhjën e madhe, ku edhe pranë tij , uji i detit deperton thellë e përgjatë shtratit të tij. Kjo është një veçanti dhe karakteristikë e lumit Buna. Pra, në shtratin e tij kemi edhe ujin e detit të njelmët si dhe ujin e ëmbël të lumit. Uji i detit, si më i rëndë depërton nën fundin e shtratit të lumit Buna deri afër Shën Gjergjit.
Karakteristikë tjetër e lumit Buna është ajo e ujit nëntokësor, ku shtrati i dikurshëm i Bunës ishte diku rreth 40 metra më poshtë në krahasim me kuotën e sotme të shkëmbit bazë te Fraskanjeli. Lumi Buna në mënyrë permanente ka mbushur shtratin e vjetër të tij me rërë. Përmbi rërë janë shtresuar sendimente argjilore të cilat nuk lejojnë depërtimin e ujit ku bëhet edhe prerja e shtratit aktual të lumit Buna. Kështu që tani në të njejtin drejtim, njëri mbi tjetrin kah deti, rrjedhin në siperfaqe rrjedhja e lumit Buna ,e në thellësi prej 10 deri në 15 metra rrjedh ja nëntokësore e lumi Buna.
Rrjedhja nëntokësore rrjedh, poashtu, nga veriu kah jugu dhe mund të karakterizohet si rrjedhje e ujit nëpër një tubacion të mbushur me rërë. Rrjedhja nëntokësore është e njohur edhe me burimet e Lisnës dhe të Boreve.Veçanti e tretë e lumit Buna është delta e Bunës –këtu lumi ndahet në dy krah të cilat ndaras derdhen në det. Dhe e veçanta e katertë është ajo e oscilimit të dyfishtë të rritjes së nivelit të ujit.
Formimi i Adës
Sipas legjendës, në vitin 1858 në grykë të Bunës, në det është fundosur anija “Merita”, pronë e Antun Alegretija nga Trogiri , e që e drejtonte kapiteni Naporeli. Vërtetë ky ishte momenti vendimtarë për formimin e Adës, sepse në shekullin 19-të, në këtë vend kanë ekzistuar dy ishuj tjerë më të vegjël. Pastaj pjesët e shkatrruara të anijes, së bashku me dy ishujt e vegjel , ndalojnë sendimentet e lumit dhe formojnë ishullin e bukur të Adës. Ajo filloi të shihet në vitin 1882.
Arkivi i Shkodrës tregon se pikërisht në gjysmën e shekullit 19-të (1858/59)Drini ka ndryshuar rrjedhjen e vet dhe që atëherë një krah i këtij lumi derdhet në Bunë. Ishulli Ada ka formën e trekëndëshit. Dy anë i rreh uji i lumit e tjetrën ai i detit. Përfshin një siperfaqe prej 600 hektarësh, me një plazh të gjatë prej 3.800 metrash. Ada është destinacioni më i njohur në Mal të Zi. Kolonia nudistike në Adë me një ambient specifik që fshihet mirë nga pamjet kureshtare e te dy anëve kufi me lumin Buna e në anën e tretë me ujin e pastërt të detit. Thuhet, që porosia më e mirë për mysafirë që dëshirojnë të vijnë në Adë është: “nëse ndonjëherë dëshironi verime nga ëndrrat me kostumet eAdamit dhe Evës, Ada e Bunës definitivisht është zgjedhje e vërtetë”.
Për Adën e Bunës thuhet se është vendi i cili të çliron nga energjitë negative. Për vetë faktin se në tërë teritorin, të cilin e përfshinë Ada , mbretëron një qetësi e jashtëzakonshme, ashtu që pas disa ditë qëndrimi do të kuptoni se ajo qetësi mund të qetësojë njerëzit, t’ ju kthej elanin, vullnetin, energjinë e jetës dhe fuqinë për ballafaqime të reja. E si mos të jetë kështu, kur përveç cicërrimës së zogjve e zhurmës së valëve, komoditetin që formon era e detit ose zëri i gjinkallës, në mesditë, kur dielli më se shumti përcëllon, asgjë tjetër nuk mund të prish-rëndoj pushimin në Adë!