PSE DUHET TA VIZITONI ULQININ?

  • Post category:Lajme

Ulqini është një udhëkryq i vërtetë i kulturave. Aty bashkohen lindja e perëndimi, objektet fetare  (islame, ortodolkse dhe katolike), dy gjuhë të popullsisë se përzier, zakonet e mentalitetet dhe shumë gjëra të tjera.

Natyra ka qënë shumë bujare ndaj këtij qyteti. Deti i kaltërt, lumi Buna me ishullin Ada në gryken e saj, liqeni i begatë i Shasit, ullishta shumëshekullore me mbi 80 mijë rrënjë të kësaj peme të bekuar, gjiri magjepsës i Valdanosit, burimet shëruese dhe pylli i pishave dehëse si dhe plazhet e gjatë e të bukura ranore janë vetëm disa prej bukurive natyrore që s’mund të përshkruhen më fjalë. Thjesht, duhet të përjetohen.

Ata të cilët kanë kaluar pushimet në Ulqin, do t’ju thonë se askund në tërë Adriatikun nuk bëhët larje më e këndshme sesa në Ulqin. Uji i detit është i kristaltë, i pastërt, nuk ka anije të mëdha dhe valë të forta. Thellësite e detit janë si kadifeja: të pastërta e të mëndafshta.

Ulqini është qyteti që ka më së shumti orë me diell në Mesdhe, vëndshërim natyror (veçanërisht për gra sterile, të sëmurë me astma, reumë etj), bazë për përgatitje sportive gjatë dimrit dhe rajon ku vegjëtojne rreth 240 lloje të shpezëve. Kjo është arsyeja që shumë gjuetarë e ornitologë, peshkatarë e sportistë, nga vendi dhe bota e përjetojnë këtë vënd si destinacionin më të dashur për pushim dhe argëtim.

Tregu i Ulqinit të marteve dhe të premteve është shumë i njohur. Në të mund të shihen veshjet e mrekullueshme popullore të popujve, grupeve etnike dhe feve të ndryshme të cilët jetojnë këtu. Tradita e tyre dhe veçoritë e tyre kulturore e shoqërore i japin qytetit një sharm dhe bukuri të veçantë pitoreske.

Gjatë historisë, Ulqini ka qënë vëndstrehim i qetë i udhëheqësve e udhëheqëseve. Për këtë, edhe Juve ju ftojmë që të vizitoni qytetin tonë, ndërsa ne do të mundohemi që pushimi Juaj të jetë sa më i këndshëm.

Këtu gjeni mundësi të ndryshme qëndrimi si në objekte hoteliere ashtu edhe në ato private. Gjithashtu keni në shërbimin Tuaj edhe menynë e pasur të kuzhinës vëndase si dhe peshkun më të mirë në Adriatik.

E pasi qe të jeni rrezitur mirë dhe të keni njohur jetën e qytetit, pushimin mund ta pasuroni me pikniqe atraktive në rrethinën e Ulqinit. Do të keni te mundur të zbuloni traditat vendase, monumentët kulturo-historike dhe përjetimin e natyres si në tregimët e Karl Majit!