Në një atmosferë të veçantë verore, në Molen e Ulqinit u mbajt koncerti emocionues i këngëtarit të njohur Armend Rexhepagiqi. Një numër i madh i qytetarëve të Ulqinit dhe mysafirë të shumtë u mblodhën buzë detit për të shijuar një mbrëmje plot muzikë, nostalgji dhe energji pozitive.
Gjatë koncertit, këngëtari i njohur interpretoi hitet më të suksesshme të karrierës së tij, si dhe këngë më të reja që janë mirëpritur nga publiku. Të pranishmit duartrokitën dhe kënduan së bashku me të, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe të ngrohtë që dëshmoi dashurinë dhe respektin që ai gëzon ndër vite.
Ky koncert, i organizuar nga Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike dhe Qendra për Kulturë, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës në kuadër të Ditës së Diasporës, ishte një nga ngjarjet më të spikatura kulturore të kësaj vere në Ulqin. Ngjarja solli bashkë njerëz të të gjitha moshave për të shijuar muzikën tonë dhe për të përjetuar nga afër magjinë e performancës së një artisti të mirënjohur.