Prezantohet turi virtual i qytetit: ULQINI FITOI KANALIN MË EFIKAS PËR PROMOVIM

  • Post category:Lajme

“Turi virtual është hit në botë dhe ne në Organizatën Turistike jemi shumë krenar që komuna ynë fitoi kanalin kaq modern dhe efikas promovues. Ulqini meriton një kanal të tillë, i cili vizitorëve dhe turistëve potencial në mënyrën më të bukur do të ja prezantojë qytetin tonë, bukuritë e tija natyrore, monumentet kulturore dhe atraksionet turistike”, tha drejtori i OT Ulqin Fatmir Gjeka.

Duke folur në prezantimin e Turit Virtual në hotelin “Mediteran” ai theksoi se me këtë akt praktikisht u shënua fillimi i fushatës për sezonin 2020.

Për detajet teknike të krijimit të Turit Virtual foli drejtori ekzekutiv i kompanisë “Falco Nero” nga Herceg – Novi Dejan Stojanoviq, i cili drejtoi këtë projekt. Ai tha se kjo platformë është në tre gjuhë, ka 100 pika dhe ekziston mundësia për zgjerim.

“Ulqini fitoi mjetin më efikas për promovimin turistik, të cilin nuk e ka asnjë komunë në Mal të Zi, e rrallë ndonjëra në rajon”, tha Stojanoviq.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, i cili së bashku me disa anëtarë të kabinetit ishte i pranishëm në prezantim, vlerësoi se OT bëri punë shumë të mirë.

Turi Virtual mund të shikohet në faqen https://ulcinj360.com/.