Riviera e Ulqinit është një destinacion i preferuar për turistët nga Serbia, ndërsa rritja e interesimit konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të organizatës lokale turistike, sipas të cilave qytetin më jugor bregdetar të Malit të Zi gjatë vitit 2025 e kanë vizituar shtatë për qind më shumë turistë nga shteti më i madh në Ballkan krahasuar me vitin 2024.
Organizata Turistike e Ulqinit, së bashku me përfaqësuesit e ekonomisë lokale, në edicionin e 47-të të Panairit të Turizmit në Beograd prezanton ofertën e saj në një stendë të pavarur prej 40 metrash katrorë. Historia e pasur mijëravjeçare, kapacitetet akomoduese, oferta gastronomike dhe e pushimeve aktive, potencialet natyrore të plazheve më të bukura dhe zonës përreth, si dhe Ada e veçantë e Bunës, tërheqin turistë nga Serbia.
Drejtori i OT Ulqin, Qazim Hoxhiq, theksoi rritjen e interesimit të turistëve nga Serbia për Ulqinin.
“Në vitin 2025 kemi pasur shtatë për qind më shumë turistë nga Serbia dhe rreth pesë për qind më shumë netqëndrime të mysafirëve nga Serbia krahasuar me vitin 2024. Rreth 19 për qind e qarkullimit të përgjithshëm turistik në Ulqin përbëhej nga turistë nga Serbia, ndërsa rreth 22 për qind ishin netqëndrime të turistëve nga Serbia. Kjo tregon se sipas trendeve të fundit në tre vitet e fundit kemi dukshëm më shumë turistë nga Serbia dhe interesi i tyre për destinacionin tonë po rritet,” tha Hoxhiq.
Hoxhiq theksoi se për këtë pjesëmarrje në Panairin e Turizmit janë përgatitur një sërë aktivitetesh interesante.
“Do të organizohen lojëra shpërblyese, ndërsa përfaqësuesit e ekonomisë do të ofrojnë paketa të veçanta akomodimi në Ulqin për turistët nga Serbia. Ndër të tjera, sonte në orën 20:00 organizojmë ‘Mbrëmje me miqtë’ në Dorçoleta. Po mbledhim turistë që janë bërë miq të Ulqinit. Me ta do të kemi një takim të veçantë ku do t’i falënderojmë zyrtarisht që e vizitojnë dhe nuk e harrojnë qytetin tonë,” tha Hoxhiq.
Panairi i 47-të Ndërkombëtar i Turizmit u hap sot në Beograd, ku deri më 22 shkurt do të prezantohen më shumë se 350 ekspozues nga 20 vende. Slogani i Panairit të 47-të Ndërkombëtar të Turizmit është “Një udhëtim, një mijë tregime”, ndërsa vendi partner i këtij edicioni është Qipro, e cila do të prezantojë ofertën e saj turistike.
